اخر الاخبار

آخر الأخبار

Tregim.. Zoica Gjolla Popi





Marrë nga libri “ Mrekullia e nje nate”

Pjesa e katert deri ne fund

Në mes dy dashurive

Është fati im, kur është esëll ka vlera, pendohet, kërkon të falur, sillet më ëmbël, premton, e kjo e rrit shpresën time për të mirë.
Ndaheshin gjithmonë të përqafuara.
Mimoza Ia tregonte me çiltërsinë e saj fill e për pe Argjentit, e në fund e puthte ëmbël duke i pëshpëritur: “Dielli im.... Jeta ime Ti”!
Të dy padashur po e përjetonin gjendjen e Eldës në ndjesi keqardhje të thellë, sekush në mënyrën e vet. Po bëhej pjesë e rëndësishme e bisedave të tyre. Më shumë prezent se sa duhej e në natyrën e Argjentit që fliste me aq admirim për fisnikërinë e saj e urrejtjen që shprehte në një formë rebele për Aleksin. Mos o Zot! Mos vallë i shoqi e donte miken e tyre më shumë se ajo? Mimoza që depërtonte lehtë e thellë në shpirtin e mendjen e Argjentit po kuptonte se ajo grua e ëmbël, plot sharmë e delikatesë kish hyrë në qenien e tij, e vërtet ai po ndjente mbrojtjen e një mashkulli para asaj bukurie të brishtë para një qielli blu, plotësisht blu të lotuar.
Argjenti kthehej vonë nga puna. Pas dushit e ngrënies, merrej me një projektim të ri në fushën e programimit të tij. Mimoza ia hapte derën ngadalë duke i shërbyer kekun e shijshëm të shoqëruar me një lëng portokalli të shtrydhura nga portokajtë e freskët të kopshtit. Ai e ulte pranë vetes e ajo lozonjare i kalonte gishtërinjtë nëpër flokë, që ia prekte lehtë me mollëzat e buta. Në shtrat shkonte pasi Mimozën e kishte zënë gjumi me një libër në dorë, me dritën e ndezur të abazhurit të kuq mbi komodinën e saj. S’e kuptonte a i vinte keq ta zgjonte, apo të mbështillej me kujtimet e asaj dite me Eldën. E vështronte sikur ajo po i ikte larg me ëndrrat e saj. Në refleksin e kuq të dritës, me flokët e zinj të shpupuritura në jastëkun ngjyrë të kaltër të çelur, me këmishën e natës në të njëjtën ngjyrë, rrethuar me dantellëfine të bardhë në gjoksin pak të hapur, ajo dukej si një zanë e vërtetë. Po Elda, si mund të dukej po të ishte shtrirë në vendin e saj? Po të ishte ajo... ai do ta zgjonte, do ta ndillte deri ku mund të shkonte kënaqësia e saj. Mos po fluturonte me fantazinë e tij? Ishin afruar shumë kohët e fundit. Atë ditë ai kish ndjerë aromën e saj, i kish’ hedhur duart duke e shtrënguar lehtë mbi supe, e ajo pak e skuqur i ishte bindur puthjes së tij, duke ndjerë shijen e ëmbël të saj. Dëshironte ai më shumë apo ajo? Ndjente një dyzim brenda vetes që po ia trazonte shpirtin. Vështrimet e tyre kur kryqëzoheshin ishin si të zënë në faj.
Paraqitja e Argjentit ishte mbresëlënëse. Sytë në ngjyrën e kadifenjtë, në atë kafen e theksuar, kishin një si dritëqeshje brenda tyre, që e tregonin më hokatar e ai kudo ishte qendra e vëmendjes. Vetullat, që e merrnin drejtimin e harkuar mbi kapakët aty ku fillonte balli i gjerë nga lart syve që përfundonin me një bisht pak të zgjatur.
Balli i bukur ia zbulonte hijeshinë e tipareve me flokët ngjyrë bronzi të errët që i krihte bukur anash. Edhe i parruar, lëkura e tij e lëmuar sikur nuk shpohej nga qimet plot shkëlqim e të buta në mjekrën pak më të thyer se ngjyra e flokëve. Vishej sportiv në të përditshmen dhe sikur të gjitha ngjyrat e bluzave i shkonin. Më shumë ishte në shijen bardhë e zi që përherë dukej në modë. Xhinset edhe të prerjeve me bel të shkurtër, ia tregonin bukur trupin e rregullt në formë të rrumbullakosur në pjesën e muskujve. Burrë i pashëm, me intelekt e shumë tërheqës për Eldën që kishte fatin të ishte shumë orë pranë tij.
U kthye në anën tjetër, fiku abazhurin por gjumi s’po e zinte. Sikur Elda t’i vinte nëpër ëndrra. Nuk i pritej sa të agonte dita, duhej të ishte pranë saj, ta pyeste si ndjehej, a kish’ pasur trazira me Aleksin atë natë. Në mendje i erdhi fjala e padëshiruar për ta... por e kthyer në një dëshirë të marrë për Argjentin. Kishte shumë merak për Eldën. As dorën nuk po e zgjaste ta prekte të shoqen. Ndodhej mes të dy dashurive. Mos po zbehej pak dashuria për Mimozën e po ndizej ajo për Elden?! Ndjeu një afsh në trup sapo përmendi emrin e saj. Po Mimoza që kish qenë vetëm e tij e ai tërësisht i saj? Jo, jo.... po ai vështrimi i Eldës? Mos ishte keqardhje kjo ndjenjë që e kish kapluar të tërin apo dashuri? Mos mëshira kish qenë aq e madhe sa ish bërë pjesë e ndjesive të tij? Çfarë kërkonte më shumë? Në qiellin e tetë a s’kishte qenë vetëm me Mimozën me planet për një engjëll në prehër që të dy e dëshironin?
Elda po dominonte në fantazinë e dëshirën e tij atë natë. Yjet sikur dridheshin më shumë me vezullimin e tyre e disku i hënës ish plotësuar në formën më të plotë rrethore pesëmbëdhjetë. E puthi të shoqen në mëngjes. Ende pa ndezur makinën dëgjoi zërin e saj:
- Argjend, ftoje Eldën në vizitë të kalojë këtej nga ne pasi kam mall...
Ai pohoi me kokë dhe s’e fshehu dot kënaqësinë nga kjo kërkesë e Mimozës. Ndezi makinën, shtoi shpejtësinë. Kishte një parandjenjë jo të mirë për Eldën! Hyri në zyrë, asnjë shenjë. Mendoi t’i telefononte, por ngurronte se mos Aleksi ishte pranë saj dhe kuptonte lidhjen e tyre që mund të bënte që gjendja të acarohej më keq. I ra numrit të saj. Zilja që binte iu duk shumë e zgjatur, më në fund dëgjoi kumbimin e ëmbël të zërit të saj.
- Elda... zemër... mirë je? Mos të ka ndodhur gjë? Tregomë të vërtetën.
- Jo shpirt i vogël... mos u merakos... ishte më rëndë se herët e tjera...
-Si... si... mos ke nevojë për ndihmë? Të lajmëroj Mimozën të qëndrojë sot pranë teje?
A mund të vish pasdite nga ne? Të presim të dy.
Zëri i saj vinte i dobët e sikur këpuste diçka nga shpirti i tij.
- Gjithçka rrotull më krijon një boshllëk, më mungon e dashur, të mendoj në çdo sekondë, sikur jetoj vetëm për ty.
- Ti nuk je vetëm i imi. Ne të dy e duam shumë atë.... por qetësohu o zemër e mirë se do të vij pasdite.
Të dy sikur po e provonin këtë ndjenjë në mënyrën e tyre për herë të parë. Sa e pafundme qenka kjo ndjenjë që kur të prekte mbretëronte në çdo qelizë, ind, duke turbulluar mendjen që duhet të ishte e arsyeshme? Por si mund të përqendrohej në arsyetimin e ftohtë, në flakën e dashurisë që përvëlohej fshehurazi? Ishin puthur, kishin ndjerë ekstazë në largësi, ishin lumturuar duke u hequr para njëri tjetrit sikur Mimoza ishte bërë e padukshme. Kishin shpërthyer fjalë që Elda i dëgjonte e i ndjente për herë të parë. Argjenti ishte pasionant, i ëmbël, burrëror, i ndjeshëm aq sa arsyetonte me dritën e mendjes pa përmbajtjen e emocionit.
Eldës për të dy miqtë e saj të zemrës i ish dukur sikur i ish hapur një dritare, nga ku depërtonte freskia e një lumturie e dashurie pafund. Po i dukej vetja sikur po hidhej pak përtej saj jo vetëm me vështrim, por me shpirt e trup. Ishte afruar pranë tyre e dëlirë me dhimbjen e saj në dashuri për të dy. Tani rrinte si një zog i tulatur, i trembur që kërkonte mbrojtje, dashuri brenda dashurisë së tyre.
I dukej vetja si lypsare që kish shtrirë dorën për pak lumturi ndryshe. Ajo s’duhej të hidhej nga ajo dritare, s’duhej të trokiste në atë portë si lypsare, duhej të largohej sa më parë. Por jo, kish shtangur aty e s’i bënte zemra të kthehej prapa.
Si ishte e mundur që kishte rënë aq thellë në dashuri? Eh... dashuri e madhe, vuajtje në gërvishtje. Por a s’kishte edhe ajo të drejtë të lumturohej në ndjesinë e saj? Në fund të fundit kishte ndodhur. Mbase pa dashje, pasi që të dy e donin Mimozën shumë, por kishin qenë të pafuqishëm në përmbajtjen e dëshiruar. Me vështrimet e tyre përcillnin aq shumë dashuri, vuajtje, lumturi pafund.
Atë natë Aleksi ishte dehur, sa mezi e mbanin këmbët! Elda që tashmë e kuptonte që nga kërcitja e çelësit, nxitoi të hapte derën. Ç’të shihte?! Ai ishte bërë baltë i tëri, e kishte një të gërvishtur të gjakosur në ballë. E trembur, i hodhi dorën në supin e saj dhe e afroi pranë dushit. Me zërin lutës e bindi të lahej. E mori me kujdes përsëri e ngadalë e afroi pranë krevatit. Pasi i rregulloi me kujdes jastëkët, e ndihmoj të shtrihej në krevat. E kishte marrë pak veten dhe bërtiste me atë zërin si ulërimë e vërdallosur brenda gojës së tij:
- Elda... Elda... më sill një gotë ujë... uji...n... shpejt se më thahet goja.
E piu me etje e pasi e mbaroi me një frymë e përplasi në pllakat e dyshemesë. Ciflat e qelqit të thërrmuara, disa ishin të ngritura nga maja shumë të holla, u shpërndanë gjithandej. Elda e tmerruar hapi komodinën, nxori një shishe të vogël jodi, e me pambukun po ia pastronte lehtë rreth e qark plagën.
Aleksi e zuri fort për krahu kur ajo mbaroi, e s’e lëshonte. Elda u përpoq me sa forcë që kishte për t’u shkëputur.....
- Mos të lutem mos... lëshoma krahun se më vrave... mooos!
U ndje e dobët para lëshimit të trupit të rënduar të tij mbi të. U përpoq edhe një herë por e pamundur. Donte të largohej me forcat që i kishin mbetur. Le t’i shkelte ato cifla qelqi me majë të holla në formë gjilpërash me këmbë, le të gjakosej... por jo në përdhunimin në atë farë mënyre të asaj pjese të trupit të saj që ia kish falur vetëm atij! Çdo femër e ka instinktin e vetëmbrojtjes për ta ruajtur, që një ditë të dëshironte të ndjehej nënë. Kur dëgjoi gulçimat të përzier me një gërhitje të çjerra, ajo u ngrit ngadalë, u mbajt me kujdes pas krevatit duke drejtuar trupin me zor. Kur hyri në dush pa pjesët e nxira anës kofshëve. I erdhi pështirë që ishte trajtuar aq keq. Në krahë kishin mbetur shenjat si vishnje të gishtërinjve të tij. Elda filloi të qante bashkë me shkumbëbardhën që i rrëshqiste nga flokët, faqeve, trupit të hijshëm të hollë e deri në fund të gishtërinjve. I ndjeu t’i ngroheshin pas një etheje të menjëhershme.
Dënesat po rralloheshin, por gishtërinjtë i mbërtheheshin bashkë me shtrëngimin e dhëmbëve në formën e një grushti. Urtësia e durimi i saj, fshehja para shumë gjërave që mos t’i dinte askush, po i ktheheshin në një grifshë. Po po në grifshë do të kthehej e do t’i binte me grusht fatit të saj! Mallkuar dita që kish vendosur të jetonte me të. Zëri i Argjentit me atë ngrohtësi e përkujdesje për të kish qenë sikur po ndizej drita jeshile e një semafori që rrinte po me të kuqe. U ngrit mbi dhimbjet e trupit, por në shpirt ishte akoma më e lënduar. Në valixhen e vogël hodhi me të ngjeshur rrobat që i duheshin. Doli me keqardhje nga shtëpia pa e kthyer kokën prapa. Vendimi ishte i prerë. Ishin kaluar kufijtë e njerëzores.
Aleksi nuk e meritonte dashurinë, karakterin që shumë burra ia lakmonin, pasi ajo ishte nga ato që binte në sy me hijeshinë, elegancën e ngjyrën e syve që shprehte shpirtin e dëlir. Mbase, sepse ishte një kafshatë që s’kapërdihej lehtë ishte një ndjellje edhe për Argjentin.
Ishte mësuar që dhimbjen, zhgënjimin fyerjen ta fshihte brenda vetes. Për çudi po ndjente që ajo pjesa e kresë ishte më pak e mpirë, sikur ishte çliruar nga një ngërç që ishte dukur e pamundur ta zgjidhte. Ishte bërë më e fortë. Vendin e keqardhjes për burrin e kishte zënë urrejtja. Ishte fashitur çdo gjë, por po i dhimbsej vetja që kishte rënë viktimë e besimit në fatin e saj. Përse kish arritur deri këtu? Përse duhej të duronte aq shumë? Përse i kishte besuar lajkave e premtimeve të Aleksit deri në përdhunimin e ndjenjave, të shpirtit e trupit?
Gishtërinjtë herë i mblidheshin e herë i zgjateshin sikur ishin bërë pjesë e qartësisë së saj. E veshur me një fustan të kaltër të çelët, ashtu pa tualet, me kapësen e flokëve të verdhë si pa kujdes, dukej me origjinale në hijeshinë e saj. Ecte e shkujdesur në rrugën e gjerë të blirëve.
Zogjtë akoma cicëronin nëpër krahëdegët e shtrira e të mbushura me gjethe e lule të çelura të verdha. Mbushej thellë me frymë dhe e ndjeu veten sikur gjithë qenia merrte ndjesi të reja. U gjend para portës së lyer në gri të çelët. Zemra po i rrihte fort. Jo s’po kërkonte lëmoshë, por të ndjente atë dashuri që jepte e merrte atë pjesë që të tre kishin diçka të tyren, diçka të lënë pezull.
Mimoza doli e para. Ia hapi portën e iu hodh në qafë me mall. Asaj iu duk sikur dinte nga Argjenti diçka më shumë për ndodhinë e asaj nate.
Oborri i tyre ishte si një parajsë vogël. Në shatërvanin në mes të pishinës së kaltër ngrihej shtatorja e një gruaje. Uji që gurgullonte nga goja e saj me presion shpërndante stërkalat, që krijonin një freski mes limonëve, portokajve, mandarinave që akoma ishin me lule të vogla të bardha.
Degët e rrushit të tejzgjatura ishin spërdredhur nëpër tela të holla. Pemët e mollës, kumbullës, shegës... gjelbëronin brenda rrethinës që në të ndarat lulëzonin trëndafila shumëngjyrëshe ku dominonte e kuqja. Kudo lastarë të harlisur. Nagjazma e rozmarina ishin rrethuar nga jesheboja lejla të çelura. Elda u tërhoq aq shumë nga kjo bukuri sa s’po kishte dëshirë të hynte brenda. Kërkonte të harronte. Nuk donte të shpjegohej. Kishte vendosur ta denonconte Aleksin. Ku për dreq iu kujtua në këtë moment!
Të tre u drejtuan poshtë pemës së mollës ku ishte tryeza e rrumbullakët me një xham rrethor në ngjyrë të errët që kombinohej bukur me veshjen prej kashte e të karrigeve që i mbanin gjithmonë jashtë. Në mes të tryezës ishte një vazo e vogël e mbushur plot panse shumë-ngjyrëshe plotësisht të çelura. Argjenti me vështrimin depërtues të dritëqeshjes së tij kuptoi më shumë se sa mund t’i shprehej Elda. Duke parë valixhen e kuptoi që Elda kishte marrë një vendim. Mos do të udhëtonte tek prindërit drejt qytetit të vogël buzë Jonit? Mbase për disa ditë! Ajo s’duhej të shkëputej nga puna. Ishte e zonja në informatikë, instituti e vlerësonte.
- Sonte do të flesh këtu, kemi aq shumë për të thënë ne të dyja- i tha Moza me një zë që nuk pranonte kundërshtim dhe i shkeli syrin Argjentit me buzën në gaz.
- Mund të rrish sa të duash, deri sa diçka të rregullohet. Je si në shtëpinë tënde - i tha ai me ngrohtësi.
Mimoza u ndje ngushtë që nuk ia kish thënë këtë, por e thënia e të shoqit iu duk si pa etikë.
Atyre i ishte bërë si shprehje kur punonin, por Mimoza dalloi diçka ndryshe mes tyre.
Elda e lëvizte pak kokën anash, duart që shoqëronin fjalët e saj kishin të njëjtën delikatese, por zëri melodik kishte një tingëllimë më të fortë, diçka e pazakontë. Argjentit nuk i shpëtoi ky detaj.
Kur hynë brenda dhe ishin pak vetëm, ai e pyeti i tejmerakosur se si ndjehej. Ajo bëri shenjë me dorë sikur po shpërndante shtëllungën e tymit të duhanit, psherëtiu thellë e i dha të kuptonte që donte të harronte. Për çudi nuk i ndjente dhembjet e trupit, ndërsa shpirti sikur i ishte shtangur në atë mëdyshje që ajo duhej të gjente veten, në atë natë të freskët pa mjegull. Ajo ngriti kokën lart kur dolën të tre në ballkon. Dalloi Harushën e Madhe me atë konfiguracion të mahnitshëm në dridhjen e yjeve dhe iu duk se po lodronte si dikur e vogël nëpër Rrugën e Qumështit. Natë e lënduar... moj e mira natë...
Darkën e shijshme të përgatitur nga Mimoza, që e kishte pasion kuzhinën e shoqëruan me një gotë vere “Martini” që kishte vite pa u hapur. Sapo ajo u largua për të rregulluar krevatin në dhomën ku do flinte Elda, ata të dy po e zhbironin njëri tjetrin në vështrime te ngulitura.
- Duhet të bisedojmë patjetër sonte të dy - i tha Argjentit me një zë të sigurt.
- Nesër e dashur, sonte nuk mundem, po e kuptoi ajo do të lëndohet- ngriti zërin Argjenti i tronditur.
Mimoza, që sapo hynte në sallonin e gjerë që ndriçonte nga drita të vogla, në tavanin ngjyrë qumështi me reflekse jeshile ngriu në vend. Nuk mund të bënte asnjë hap para. Zuri veshët me duar, për të mos dëgjuar më dhe pa zhurmë hyri në dhomën e gjumit. Filloi t’i merrej fryma. Një lëmsh iu mblodh në fyt, sikur lotët kishin ngrirë aty. Jo... nuk duhet të shpërthente, nuk duhej t’i binte në sy. Gjithmonë i thoshte të shoqit se ajo e donte çmendurisht, sepse kështu dinte të dashuronte njëherë e përgjithmonë... se të kam Yll.... se të kam të gjithin, se je vetëm i imi... i imi... i imi...! Këmbët s’po e mbanin. U shtri përmbys në krevat.
Eldën e donte si motrën e saj dhe të Argjentit. Sa dashuri e dhembshuri ndjente për të! Elda i tregonte të gjitha me atë hijeshinë e ëmbëlsinë që të mahniste. Sikur ta falte qiellin, e gjithë kohën ta bënte vetëm pesë minuta me tërheqjen e bukurisë dhe adhurimit. Nëpërmjet miqësisë së ngrohtë me të, ajo kish vlerësuar më shumë Argjentin, fatin e saj Yll, e donte ta bënte burrin më të lumtur në botë ashtu natyrshëm në çdo moment me ngrohtësinë e ndjenjave të saj, që buronin si të gjithë lumenjtë e derdhur në një det pafund lumturie.
Argjenti e puthi Eldën e i premtoi se sapo Mimoza të flinte do vazhdonin bisedën në sallon.
I uruan natën e mirë e ajo i shkeli syrin Mimozës, siç bënin ndonjëherë të dyja për shaka.
U shtrinë të dy në shtrat. Argjenti s’e kish mbledhur veten, por as ajo.
- U kënaqe më shumë, apo u lodhe - e pyeti ai duke ia marrë kokën në gjoksin e tij.
- Po më mbyllen sytë - u hoq ajo sikur donte të flinte.
- Doja të shpërngoja fort... fort... e të flije kështu duke dëgjuar rrahjet e zemrës time vetëm për ty... për ty rrezehëna më e ndritshme për mua!
Sa dëshironte në çast ta zinte një gjumë i thellë, të mos dëgjonte.... por mes atij dyshimi a mund të flinte?! Të ishte e vërtetë se kishte lindur diçka mes tyre? Të ishte tradhtuar nga të dy njëherësh? Si ishte e mundur? Po dridhej nga një e ftohtë që i përshkoi mornica në trup. Truri sikur po i mpihej. Nuk donte të mendohej. Iu duk sikur duke shtrydhur dyshimin e saj diçka po lagej, diçka që ftohej e mes avullit të tyre kish frikë mos formohej për herë të parë në jetën e tyre martesore, një shtresë e hollë ngrice. Ndjente ftohtë. Kujdesej se mos rrëshqiste si në një pistë patinazhi, që po e kërcente për herë të parë, në një melodi klasike. Po i merrej mendja. Sa shumë i donte të dy! Po i mbushte mendjen vetes se sonte s’do i ndodhte asgjë. Ia hoqi krahun Argjentit, e puthi lehtë e u kthye në anën tjetër. Ai u shtrëngua pas trupit të saj, ndjeu se s’mund të shkonte më tej as me fjalë. Ç’të bënte, ta kthente Mimozën nga vetja, apo ta linte ashtu? Ai ishte burri që e dashuronte me çmimin e fatit të tij për ta dashur e mbrojtur deri në përjetësi. Por çfarë ishte ndjenja për Eldën që e bënte të fluturonte përtej... të digjej e të përvëlohej deri në marramendje? Sa donte ta pinte atë verën deri në fund, të trullosej për të dyja.
A s’ ishte ai që kohët e fundit në heshtje në fantazinë e tij e kish shpënë Eldën aty, në atë copë qiell, që i kish takuar vetëm atij e Mimozës? Ia fshihte Mimozës, ia shprehte Eldës, duke e gjetur veten njëkohësisht në mes të dy dashurive pa përvëluar as njërën, as tjetrën, por ngrohej vetë çuditërisht më shpejt në një epsh që ai s’e njihte veten, por po e dinte tani vetëm ai. Sa do t’i pëlqente të dyja sonte... marrëzisht... të bërtiste me zë të lartë që ishin edhe shokë bashkë... e të çlirohej njëherë e mirë nga ky makth që po e ndjente gjithmonë e më shumë.
Elda pas asaj nate të tmerrshme donte të përhumbej, por priste me ankth Argjentin t’i bënte me shenjë që të ngrihej. Ishte bërë kureshtare më shumë se ç’duhej. E kishte detyruar Argjentin pikërisht sonte ta gjenin veten të tre në mes të dy dashurive.
Mos ndoshta Mimoza me çiltërsinë i kish treguar shumë biseda intime të bëra me të, e ai ishte tërhequr të zbulonte tek ajo diçka që mund t’i përkiste në intimitet edhe atij? Apo vetë ajo ishte shtyrë drejt tyre nga dëshpërimet me Aleksin dhe psherëtimat e saj të thella ishin ndjerë te miqtë e saj të dashur.... shumë të dashur si askush në atë qytet të madh Interpol?
Ajo tërhiqte vëmendjen e simpatinë e të gjithëve në çdo rreth të krijuar, duke u bërë enigmë me të fshehtën e saj për të shoqin. Mos ky mister kishte zgjuar kërshërinë e Argjentit? Mos ishte zbuluar në fije të holla nëpërmjet Mimozës e ai po provonte veten në mbrojtjen e një mashkulli për një femër tjetër, që padashur të dy kishin rënë pre e asaj, që kur kthehesh në diçka të dëshiruar në dy gjini të ndryshme bëhej e papërmbajtur? Kjo kërkonte një udhë që sa më e vështirë bëhej, aq më shumë të jepte fuqinë e një lufte. Të dukej vetja që në secilën fushëbetejë të ishe duhej të dilje i fituar. Por Mimoza nuk ishte kundërshtarja. A luftohej me atë shikim përdëllues të syve të zinj, me atë bebëz të lëngëzuar mes një shkëlqimi, me ato qerpikë të gjatë e të kthyer po aq të zinj, që pasqyronin ëmbël vizionin e hapësirës të një shpirti njeriu, që përjetonte çdo fjalë, çdo ndjenjë e ta përcillte me një paqe e mendim të kthjellët? A prekej dashuria e shenjtë që ajo e shprehte me aq pasion? A nuk ishte Mimoza që për burrin do falte çdo gjë? Jo, për Eldën ajo ishte princeshë e pafajësisë. Por sa të fajshëm ishin ata para saj? Do të ishte ndryshe sikur ajo ta kishte afruar me qëllimin për të provuar ndershmërinë e burrit para të qenurit me të vërtetë femër në shkëlqimin e veçantë të një rrezedielli që ngrohte e lodronte në sy të të gjithëve.
Do të ishte po aq e papranueshme sikur Mimoza ta afronte për t’i treguar Argjentit, se ajo grua e karakterit të veçantë, ishte thjesht një grua e dobët nga brenda e nuk ishte ajo që paraqiste mospërfillje kundrejt meshkujve të tjerë. Po çfarë ishin ato aludime? Do provonte ajo të vuante duke rrezikuar ndjenjën në lëndime xhelozie?
Argjenti, kur mendoi se Mimoza flinte, ia lëmoi faqen lehtë me ëmbëlsi. U çudit! Dora iu lag nga një lot që rrëshqiste në gushën e saj të bukur. Ndjeu dhembshuri deri në fijen më të hollë të shpirtit. Mos sheh ndonjë ëndërr e parandien? U ngrit ngadalë, veshi tutat sportive dhe bluzën e bardhë me shenjën “nike” që i shkonte shumë. Kur zgjati dorën të merrte paketën mbi komodinën në ngjyrën e arrës, i hodhi një sy Mimozës që po i dukej me ato tandellat e bardha të këmishës së natës në lejla shumë të hapët, si një perëndeshë e bukurisë. Nga një dënesë e mbytur, të padëgjuar asnjëherë, ndjeu që iu prenë këmbët. Mori një cigare dhe e vuri në buzët që po i thaheshin.
- Shpirt... shpirt i vogël... të dhemb diçka... ishe mire... ç’pate?... Ç’ke.... ç’të mundon?
Sikur i ra pika në kokë, kur mendoi se ajo dyshonte. Po sikur t’i kishte dëgjuar?!
- Një cigare doja të ndizja - i tha për t’u shfajësuar.
Mimoza u ngrit përgjysmë, rregulloi jastëkun, mblodhi këmbët, e i bëri shenjë që të ulej.
Dukej më e zbehtë me refleksin e abazhurit të ndezur. Fshiu lotët e mbuloi fytyrën me duar. Po i vinte vala tjetër e dënesës që i çlironte ngërçin në fyt me frymëmarrjen e vështirë. Jo, jo, i tha vetes... mbahu fort.... nuk duhet... A duhej ta tregonte fundin e dobësisë? Çelësi i ndjenjave duhej të punonte në këtë moment. Të paktën të barazonte arsyen me të edhe pse ishte jashtë forcave. Duhej o sonte o kurrë...! Ky mendim i dha forcën e duhur.
- Elda të pret, apo jo? Ai dalloi nota iritimi në zërin e ulët.
- Po. Ka ndodhur diçka e lehtë, duke të dashur ty....as vetë s’jemi të qartë. S’di si ta them moj e mirë. Më pikon në zemër që je aq e lënduar. Të betohem, që ti je ulur si mbretëreshë në kolltukun e florinjtë brenda shpirtit tim. Je zotëruesja e qiellit tonë të lumturisë. Të përgjërohem... kuptomë... po nuk deshe ti unë nuk shkoj.
- Ajo të pret. Shko tani! O do të hysh përsëri në dhomën tonë të gjumit me mua, ose ik bashkë me të, pa dalë unë që këtej.
Zëri i Mimozës ishte i prerë, pa tingullin melodik, pa atë nën zë të urtësisë, si vendosmëria e një ujkonje që po t’i afroheshe këlyshit, do të vërsulej e egërsuar.
E ndezi çakmakun me duart që i dridheshin.
E thithi fort cigaren. Ia shtrëngoi dorën të shoqes, sikur kërkonte forcë e pak paqe që t’i falte.
- Kthehem shpejt, pas pak minutash, shpirt i shpirtit tim. Përpiqu të jesh e qetë ti të paktën. A ke besim tek unë?- Argjenti tërhoqi derën, për ta mbyllur plotësisht. Elda kish hedhur një mantel të kaltër e po e lidhte në belin e saj të hollë.
- Eja këtu po të duash - i tha ajo , pa e vënë re tronditjen e thellë të tij. Iu duk pak provokuese të ulej aty.
Ndjeu atë zjarrminë e ngrohtë nga ashti gjer në palcë. Aq shumë e dëshironte kur përhumbej në kaltërsinë e vështrimit të ëmbël. Sa e bukur, sa fine, sa e brishtë... sikur sa ta prekje do kthehej në një flutur mbi një lule bore. Tërhoqi dorën e zgjatur për ta prekur. Sa dëshironte ta puthte në ato buzët e mishta të një forme të rrumbullakosur në pjesën e sipërme e me cepat që ishin gati për të qeshur. Të prekte ato pjesë te hajthshme të trupit, sa fin po aq të rregullt. Ta bënte të provonte përkëdheljet e burrit që në çdo prekje të kishte nota tingulli në melodinë që këndohej në psherëtima kënaqësie. Të harronte plotësisht abuzimet e fatit të pamëshirshëm. Bobo përsëri ngriti kokë forca e mbrojtjes e e epshit të një mashkulli. Dreqi ta hajë... me tjetër mendje hyri në dhomën e Eldës, të tjera ndjenja të papërmbajtura po e kaplonin.
Elda ishte gati të jepej. E ndjeu që të dy e dëshironin prej kohësh atë moment që po vinte si vetëtimë. Ishte hera e parë për të dy dhe e dëshironin aq shumë njëri tjetrin, por edhe hera e parë që tradhtonin.
Mimoza vinte vërdallë nëpër dhomë duke shtrënguar me dy duar diçka që i rrihte në pjesën e sipërme të kokës. Jo nuk i vinte nga tëmthat. Ato sikur i ishin fryrë e nuk pomponin nga presioni i gjakut të zemrës, që rrihte e çakorduar, e çmendur, e pa kontrolluar.
- Ç’më gjeti... mos po çmendem?
E izoluar brenda dhomës, i vinte t’i binte derës me shqelma e ta hapte. Minutat po i dukeshin orë. Po sikur të dilte? Po t’i kapte në flagrancë? Kjo që i erdhi në mendje e tërboi fare. Hapi me vrull perden ngjyrë floriri të derës e doli ne ballkon. Iu duk sikur shpëtoi për një çast. Kish kaluar mesi i natës. Ishte një vezullim ndryshe sonte. Përsëri hënë e plotë... Sa bukur dukej kopshti i tyre në këtë dritëhije të natyrshme. Asgjë s’pipëtinte. Nata sikur ruante qetësinë e dallëndysheve që flinin në folezën e ngritur prej tyre në cepat e tavanit bezhe të ballkonit. Mori frymë thellë dhe iu duk sikur gjithë qenia e saj u mblodh e u shtriq drejt qiellit plot yje vezullues, me një lutje... O Zot ndihmomë!
Kërkoi të dallonte sadopak lulet e çelura të mollës. Edhe ato ishin fshehur në errësirë mos dalloheshin nga kujtimi i natës së dasmës së tyre.
Iu kujtua derdhja e shampanjës, mes tingujve të muzikës klasike, miqtë çakërqejf që në pikun e haresë e gëzimit uronin. Të trashëgoheni... Të trashëgoheni...! Eh....ajo pije shkumbëbardhë e shpërthyer që i kish lagur të dy...
Të ndodhte sonte mrekullia, ta mbante atë shishe shampanje në dorë me kujdes se mos i krisej. Po sikur t’i thyhej? Pa dritën e ndezur të dhomës ku flinte Elda dhe i hynë të dridhura. I ftohti i natës po e sillte në vete. Ngriti kokën dhe pa yjet e ndezur që dridheshin në feksje bashkë me të.
- Mblidhe mendjen- i tha vetes.
Nuk është fundi i botës. Po fundi i qiellit të lumturisë mos po venitej?

***
Elda ia hodhi të dyja duart në qafë duke lodruar e tëra me një vështrim ndjellës, me lëkundje të lehta të trupit në finesë e elegancë.
- Argjent... - i pëshpëriti në vesh e zgjatur me dëshirën e puthjes së ëmbël.
Ai ia lëmoi flokët kaçurrela të verdha, që ishin derdhur mbi supet e drejta, në përdredhjen e fundit mbi mantelin e kaltër. E ëmbël si përplasja e shkumbëvalës së lehtë, që puthej me rërën në përthithjen e tejlagies.
- Elda... të kam në zemër ty!
Ndjeu atë përflakjen që i vinte nga brenda kur ndjente aromën pranë trupit.
- Sonte jam e jotja... plotësisht e jotja.
Psherëtima e zakonshme i mbeti mbi gjoksin e ngritur në përdëllimin e pritjes.
Ia mori kokën me dy duar dhe sikur po ndalte një fluturim në rrahje krahësh të kundërt me erën që po frynte. Ndërkohë, që ajo priste flladin, ai po rrotullohej nga furia e një ere që duhej ta përballonte.
Përsëri ajo valë e nxehtë po i përshkonte gjithë qenien. Si i çmendur kërkonte arsyetimin ta freskonte pak. Ah dyzimi! S’ kishte më keq. Do të qëndronte gjatë? Elda ishte gati e lëshuar të hiqte mantelin.
-Shpirt... të dua... sa të dëshiroj...!
Shtrëngomë të lutem!
- E dashur, me ke hyrë në zemër, për atë, që të dua, për atë që je.
Dëshironte të zgjaste duart në atë pjesë të gjoksit të rrumbullakosur pak të zbuluar. Po dyzohej përsëri, përmes përflakjes së saj e përqendrimit të tij. Deri ku ky dyzim, deri kur? Në cilën pjesë do fashitej? Asnjëherë s’e kish ndjerë veten në lëkundje të tilla. Ishte tip simpatik, pranonte shaka, ngacmonte edhe vet, i bënte të tjerët të qeshnin me humorin e hollë! Të tjerët qeshnin më shumë pasi ai duke treguar qeshte me lot. Se mos vetëm e simpatizonin vajzat? Ai mbas së bukurës bëhej erë. Po ç’e gjeti kështu? A mund të lindte një dashuri, mes dashurisë së tij për Mimozën? Si ishte e mundur? Mos ia kishin mbushur mendjen vetes para kohe se ishin një trup, një mendje, një shpirt? Jo... jo, Mimoza i kishte të gjitha. I ishte dhënë me shpirt. Ëndrrat, pasioni, dëshirat e kishin marrë bekimin në prekje, në vështrimin brenda tyre e në puthjet me sytë mbyllur. Gjithçka kishte marrë formën e një mishërimi. Ishte lulja më e bukur, e freskët që s’do të vyshkej kurrë në shpirt.
- Elda dalim në ballkon? Është hënë e plotë. Qenka dritë sonte! Mori trikon dhe ia hodhi krahëve.
- Mos ftohesh... vishe!
- Mirë bëre, po dridhem e tëra.
- Sa me pihet një cigare!
Ia zgjati një. Ajo e vuri në buzë por nuk e ndezi.
- Sikur aktron kur e thith- qeshi ajo dhe priti që ai ta ngacmonte po me ato fjalë.
Natë e vonë... nuk frynte, asgjë s’pipëtinte. Ajri i freskët merrte pak lagështirën e ciklave të ujit që formonin shkumë të bardhë mes rrathëve, që krijonte derdhja e ujit mbi pishinë. Presioni i currilave, që ndiqnin njëri tjetrin lart e më lart, rridhnin nga goja e asaj shtatoreje gruaje. Një skulpture në lakuriqësinë e saj me duart e mbledhura,që fshihte diçka që s’duhej të dukej nga vetja. E lyer ndërmjet të kaltrës e blu, pikturuar në muret e saj të harkuara me dy delfinë në kërcim, pishina dukej si një pjesë deti e shkëputur nga valëzimi i riciklimit të ujit të kulluar. Derdhja e vazhdueshme e ujit krijonte një tingull si për të kujtuar... si për të qenë zgjuar.
Dëgjuan këlthitjen e një kukuvajke, që u erdhi papritur! Po e ndiqnin me sy ku do të qëndronte.

***
Mimoza u ngrit siç kishte rënë përmbys, e donte përsëri të dilte të freskohej, e të mbushej me frymë në ballkon. U step. Përsëri mbuloi fytyrën me duar. Ishte mpirë e tëra. Mendimet ishin stakuar nga një hije e fortë dyshimi.
Sa e gjatë iu duk kjo natë! Akoma s’po zbardhej. Ndezi dritën. Mori një peshqir të vogël. Ktheu me fund ujin nga termusi duke njomur buzët e thara, që i digjnin nga plasaritja. Inati ishte thurur brenda xhelozisë në tiparet e mbërthyera. I erdhi nëpër mend të shkallmonte derën, por kësaj radhe t’i binte me shkelm derës së ballkonit, ta shqyente dorezën që për herë të parë po merrte kuptimin e zmadhuar të funksionit. I vinte të çirrej me zë e të bërtiste sa fuqi që kishte. Ej ... ej mbaruat? Për mua ju të dy nuk ekzistoni! Mu zhdukuni që këtu! Jashtë... jashtë... në djall vafshit! Përse duhej të dënohej aq keq? Sepse i donte?! U zmbraps nga dera me valën e dënesës. Mbuloi fytyrën me peshqirin e bardhe. Puthiti mire pëllëmbët mbi të në mënyrë që të mos e dëgjonin. Ngashërimet e thella vinin bashkë me zërin, akordet e të cilit për herë të parë i dëgjonte.

***
Përsëri këlthitja e kukuvajkës... Kuku... ku....tre herë. Ndaloi mbi degën e ullirit të vetëm të kopshtit, që ndodhej përballë dhomës së tij të gjumit.
- Atje... ja aty lart qëndroi kukuvajka, e shikon?
Argjenti pa dritën e dhomës ndezur e u rrëqeth i tëri. Mimoza... kushedi sa ishte lënduar! Sa i kishte gjykuar ata të dy? Ah Mimoza e tij e pafajshme! Po Elda sa fajtore ishte në këtë histori dashurie të marrë? Jo , jo ai ndihej në faj për të dyja. Kur hynë brenda në dhomë akoma i përkëdhelte flladi i freskët i natës përzier me aromën e luleve.
Elda lozonjare s’e kuptoi bllokimin e tij deri në një dhembje, që s’mund t’ia tregonte.
- Elda, duhet të tregohemi të arsyeshëm, me një mendje të ftohtë në dy trupa të bërë valë.
- Ajo ngriu. Si... si thua Argjent? Përsërite dhe një herë i dashur?
Ia shtrëngoi bluzën fort me dy duar, aty ku sapo mendonte t’ia ngrinte e të mbështetej në gjoksin e tij .
- Mimoza është zgjuar akoma. Minutat i duken orë. Kushedi sa ka vuajtur! Është e ndjeshme, e çiltër, e zhgënjyer. Ndjehet keq, e tradhtuar.
- Si... si... të ndjeu kur erdhe...?! Pse s’ më the? Oh... oh... më vjen keq për të… shumë keq!
Kurse për ty..., ti më çmend mua - e shtrëngoi fort nga bluza, duke e shkundur nga një fuqi e ardhur, që kërkonte shfajësim.
Fjalët e saj po binin në kundërshtim me egërsinë e veprimit. Ah, aq e ëmbël sa ishte! Përsëri po i dukej se po e merrte një rrymë cikloni nga përpara , e duhej të mbahej fort. Nuk ia hoqi duart, e la të shpërthente.
-Më ke dashur? Më do akoma? Ishte keqardhje nga të gjitha të pathënat nga çiltërsia e sat shoqeje? Ha ha ha mikes sime që, disa të fshehta nuk duhet treguar. Mos më deshët si imazh për pasionin tuaj?
-Elda, mblidhe veten!
-Cila kujton more se jam unë? Mund të jepesha kollaj për një mëshirë? Ju besova... mbase çastet e abuzimit u dhanë rrugë ndjenjave që, nuk më pyetën mua.
Lotët po i rridhnin. Po ndjente njëkohësisht dhembjet e trupit në ngashërime shpirti. Ai ndjeu që po e mëshironte deri në pikën e fundit. Kur po ia lëmonte flokët për ta qetësuar. Elda ia hoqi dorën që ishte akull e ftohtë.
-Lërmë mua... jam mësuar të vuajë... qetësoje Mozën... i thuaj se e çmoj... e dua.
-Fli zemër e mirë... është vonë... erdhe e sfilitur e mua po më copëtohet shpirti. Më fal Elda. Mos qaj zemër. Po të kishim ndjekur epshet tona do ishim vetëm për një natë. Ti do të jesh përherë melodia më e dhimbshme, e ëmbël, por shumë e shtrenjtë në thellësi të fshehtë të shpirtit tim.
E puthi lehtë në dorën e lëshuar  dhe u largua. Donte të ndizte një cigare! Të qetësohej disi, por shpejtoi hapat te Mimoza.
- Shpirt të më falësh! Të na falësh të dy. Sa shumë që të ndjej... se të kam vetëm ty!
Ajo po depërtonte thellë në sytë e tij. Afrohu, mbështetu në krahun tim.
Ia mori kokën në gjoks.
-Shpirt i vogël, si të bëra të vuash ... të kam engjëll unë... A mund të shkelja mbi dashurinë tënde? Vallë lëndohej një paqe e plotë? Jo as unë, as Elda.
- Përse? - i mbeti pyetja padashur jashtë fjalës.
- Dua të them që çdo burrë do të tundohej para bukurisë së magjishme të një gruaje. Por a ka grua brenda të cilës është një botë e bukur, plot finesë e shije, të mos thyhet, sado i fortë të jetë karakteri i saj?
-Është Elda?- pyeti Mimoza, jo për kuriozitetin e xhelozisë, tashmë të lodhur.
- Jo, as ajo, as ti. Çdo grua po s’u plotësua në botën e bukur të ndjenjave, po nuk e deshe si veten, të kujdesesh deri në lirinë e plotë të fjalës e mendimit, mund të rrëshqasë. Gratë e lira nuk tradhtojnë. Unë të dua më shumë se veten që të jesh e imja, vetëm e imja... përtej përjetësisë.
Fjetën pak orë të përqafuar ashtu, por të kapitur në një gjumë të thellë. Mimoza u ngrit ngadalë, mos zgjonte Argjentin. E shikonte e s’ngopej me hijeshinë e burrit plot nur e dritë. Pasi bëri një tualet të lehtë, që mos të dukej aq e zbehtë e në sy të Eldës, veshi rrobdizhanin e bardhë prej atlasi me shkëlqim të lehtë të bardhë.
Dhoma e Eldës ishte e rregulluar dhe ishte hapur përgjysmë dera e ballkonit. Valixhja nuk ishte në dhomë. Nxitoi në ballkon. S’ishte aty. Shpejtoi jashtë në oborr. Shpresoi ta gjente në kopsht. As atje! U shqetësua dhe po i merrej fryma. Mos ishte treguar egoiste? Përse s’ishte ngritur më herët? Mbi tavolinën drejtkëndëshe të rregullt me fibër të bardhë gjeti një letër. E lexoi menjëherë duke iu dridhur duart. “Të shtrenjtët e mi, Mimoza e Argjent! Ju kërkoj falje. Largohem përgjithmonë në qytetin e lindjes. Ishte një rrëshqitje në fluturim, në mes të dy dashurive. Lumturi të përjetshme!
LAMTUMIRË!”
Iu shtrydh zemra. U mbështet në parvazin e ballkoni, me sytë e përlotur duke u përhumbur në bukurinë magjepsëse të lindjes së diellit. Elda... ah... Elda! Sa shumë e tërhiqte lindja e diellit. Qeshnin ndonjëherë të dy, pasi Mimozën e tërhiqte më shumë përflakja e perëndimit të tij. Buzë Jonit është një mrekulli perëndimi i diellit.
Mimoza ndjeu Argjentin që t’ia hidhte dorën në qafën e hollë dhe ta përkëdhelte me mollëzat e gishtërinjve aty ku i pëlqente asaj. Ai e ktheu nga vetja. Sa e pa përlotjen e syve në një shkëlqim që mund të derdhej, kuptoi gjithçka. Mbase do mbetej një melodi kujtimi që do të bënin sikur nuk do ta dëgjonin.

Zoica Gjolla Popi
Albania
Angli!
25-11-2018

Të gjitha të drejtat i përkasin autores.

ليست هناك تعليقات

مرحبا بكم في الموقع الإعلامي للمنتدى الثقافي الدولي شكرا لتواصلكم معنا ولمشاركتكم الفاعلة
Welcome to the media site of the International Cultural Forum. Thank you for contacting us and for your active participation