اخر الاخبار

آخر الأخبار

“Në mes dy dashurive “ .. Zoica Gjolla Popi



Tregim

Pjesa e trete
                                                               Në gjallërinë e ëmbëlsinë e saj, sikur një hije i qëndronte mbi krye e herë - herë ajo dëlirësi sikur mbërthehej bashkë me vetullat e saj te harkuara, mbi qerpikë të imët, si qerpikë fëmije, që i jepnin vështrimit blu një hapësirë kaltërsie rreth retinës së zezë të syve që në tërheqje pak të zgjatur merrnin formën e bajames. Pasditen që kishin pirë kafen në lokalin e tyre të preferuar e që qeshnin me kamerierin simpatik, Elda që e kish zakon të ulej përballë dritares, kishte tretur vështrimin jashtë tek limonët e mbjellë me kokrrat e lidhura akoma të gjelbra për herë të parë. Fliste pak për Aleksin. Mimoza si një lumë që vetëm gurgullonte nga lumturia e saj, ndërsa Elda si një vijë uji, që devijonte nga guriçka gri, tepër gri, si ngjyra e plumbit që rëndonte në shpirtin e saj.
Pas psherëtimës, qerpikët e imët nuk ia mbajtën lotin e fshehur dhe Mimozës i erdhi keq, që shoqja e saj hapej pak për veten. Sytë e Eldës gjithmonë rrethoheshin nga rrathë mavi por ajo sikur shkrihej në nuancat e ngjyrave të saj.
-Elda ... zemër... çfarë të mundon?
Zëri i Mimozës kësaj radhe ishte sa përkëdhelës po aq këmbëngulës. Elda sikur po e largonte pak atë mjegull që i rrinte si rëndesë deri mbi krejen e saj, prej së cilës ndjente mpirje e hera herës paksa të ngurtësuar.
- Mimoza... nuk dua t’ju shqetësoj me problemet e mia.... jo se s’të besoj... ti je shpirt njeriu e unë ju dua fort që të dy... ju kam miq të shtrenjtë që ma plotësoni deri diku atë boshllëk që ndjej. Unë përveç jush askujt s’mund t’i hapem për fatin tim, burrin tim, sa kohë vetë ndjehem si në një barkë mes dallgëve të fuqishme, që herë zhytet e herë përpiqet të dalë në breg. Nuk e dija kur u njohëm. Më bënte përshtypje kur porosisnim pak verë në takimet tona në fundjavë, Aleksi porosiste coca cola e unë vihesha në pozitë të vështirë. Njëherë duke qeshur me seriozitetin e tij i thashë, që e di që do kem dëshirë të dehesh njëherë e të dëgjoj çfarë shpërthimesh ndryshe do na dhurosh. Ai më shikonte me shikimin e tij zhbirues e më përgjigjej: “Unë s’kam nevojë të dehem se më deh ti pa pirë...”. Më puthte duke më përkëdhelur... je e magjishme... si një pikturë e vërtetë. Më thoshte. I kujtoj ato fjalë , që nuk e dija se do të ishin motivi më i bukur po të ishte e vërtetë.
Ajo përsëri psherëtiu thellë. E shikonte Mimozën me sy në shkëlqimin e lotëve të sapo formuar.
Mimozës i erdhi keq, iu shtrydh zemra. Elda shpërtheu në një valë dënesash të mbytura e kur fshiu lotët, ajo dalloi një njollë mavi në mollëzën e faqes së majtë që zgjatej deri afër syrit.
E kuptoi pse ajo pudrosej në faqen si lëmesë tejet të bardhë. Si s’e kish kuptuar më parë që Elda dhunohej nga i shoqi? Ku e gjente ajo tërë atë forcë të shpërndante me dëlirësinë e saj e të qeshte hareshëm mes tyre?
- Ah Moza..., ka zakone të këqija kur dehet... nuk e kontrollon veten, po nuk ju binde për çdo gjë në ato momente egërsohet keq, thyen çdo gjë, e unë nuk i shpëtoj dot ritmit të pakontrolluar të tij.
Duke treguar Elda lëvizte ato duar me delikatesë dhe zëri i vinte nga një dhimbje që krijonte melodinë e një ujëvare që sa vinte e qetësohej. Mahnitëse! Tërë ato fjalë prekëse me lotët e saj ajo i shprehte me nuancën e të qeshurit, duke tundur kokën në formë të bukur, të mbushur me kaçurrela të verdha, që i përdridheshin derdhur gjer tek supet, duke krijuar imazhin e një luledielli që me petalet plotësisht të çelura, sikur kishin ulur kokën pak të mbledhura në drejtim të perëndimit të diellit.
- Elda, më thuaj, çfarë ndjen ti pas gjithë këtyre torturave për Aleksin?

Vijon nesër në pjesën e katert.....

ليست هناك تعليقات

مرحبا بكم في الموقع الإعلامي للمنتدى الثقافي الدولي شكرا لتواصلكم معنا ولمشاركتكم الفاعلة
Welcome to the media site of the International Cultural Forum. Thank you for contacting us and for your active participation