Në mes të dy dashurive.. Zoica Gjolla Popi
Ripostim
Tregim
( marrë nga libri “ Mrekullia E Një Nate”)
Të gjitha të drejtat i përkasin autores
pjesa e parë.......vijon ne pjesën e dytë.....
Në mes të dy dashurive
Mimoza largoi nga balli flokët e zinj që i kishin rënë mbi të e ndjeu përtëritjen e mëngjesit. Hapi dritaren nga ku flladi i freskët luhaste perden e bardhë prej najloni e ndjeu kënaqësinë e ditës së re. Dielli që sapo kish shpërthyer rrezet e para, sikur e kishte zbardhur vende - vende në ngjyrën e lejlasë në rozë, atë pjesë të qiellit të dallgëzuar si një shirit i gjerë duke e lënë pas... Hodhi sytë në kopshtin e rrethuar dhe parmakët në konfiguracione të rregullta që përfundonin në majë të rrumbullakosur, shkëlqenin nga dritëthyerja e lagështia që akoma s’ishte tharë. Vështroi mollën në mes të pemëve të tjera me lulet e çelura, disa akoma në gonxhe, dhe iu kujtua ajo natë martesore aq e këndshme me tavolinat poshtë pemëve që secila kishte shkëlqimin e veçante të dritave plot ngjyra. Tryeza e rrumbullakosur me mbulesë të bardhë, karriget në formë kolltukësh të rehatshëm me mbështetësen pak të gjatë, dallonte pak nga tryezat e tjera si në të veçantën e çiftit.
Nga një gonxhe trëndafili në vazo të holla shumë fine prej qelqi të tejdukshëm me pak ujë sikur i kish freskuar të gjithë tryezat të mbushura tashmë me pjatat e rregulluara me ushqimet po aq të freskëta me dekorime të bukura. Në kohën që kish dalë ajo të gjithë kishin shtangur nga nuri i saj i nusërisë. Ajo dëgjonte zëra të mahnitur: “sa e bukur....sa fine...”! U jepte të gjithë miqve nga një buzëqeshje që me dhëmbët e rregullta ato buzë të bukura me të kuqin që i shkonte aq shumë. dukeshin më të fryra. Argjenti me kostumin e zi, që i rrinte shik pas trupit elegant e të gjatë, me kravatën e kuqe e këmishën e bardhë, mbante në xhepin e xhaketës një gonxhe të kuqe trëndafili ngjitur pas shamisë, e dalë pak nga xhepi në formë trekëndëshi.
Mimozës iu kujtua vallëzimi i “Valsit të lumturisë” e rrethuar nga dasmorët çakërrqejf, ndërsa ishte lëshuar në ata tinguj të ëmbël në krahët e tij duke e vështruar thellë, kishte ndjerë lumturinë brenda qenies së tyre dhe emocionin e rrallë të çasteve që nuk harrohen. Pastaj torta... thirrjet e miqve, puthje... puthje e ëmbëlsinë e saj në buzët e ngjeshura sa për pak po harronin që ishin të dy qendra e vëmendjes! Argjenti me atë lëkurën e bardhë, sytë të kadifenjtë e flokët pak si në bronz të thyer sikur kish marrë ndriçimin e yjeve të asaj nate të magjishme.
-Mbretëresha ime... hënëza ime...të dua përjetësisht... marrëzisht... e ajo duke qeshur i hoqi nga flokët një lulemolle të vockël në ngjyrën e bardhë pak në rozë e ia dha në dorë..... Argjenti ia vuri në vijëzimin mes gjoksit të bukur që fustani i ngjitur pas bustit të saj ia tregonte formën e hijshme e pak provokuese.
Pas disa muajsh, kur dëshira për një fëmijë ishte kthyer e papërmbajtur nga të dy, ata përjetonin dashurinë e madhe me plot ëndrra për të ardhmen. Argjenti ishte djalë i vetëm me pesë motra e prindër të moshuar. Mimoza ndjente dashurinë e admirimin e tyre e kjo ngrohtësi ishte mes tyre si përkëdhelja e një familje të madhe.
ليست هناك تعليقات
مرحبا بكم في الموقع الإعلامي للمنتدى الثقافي الدولي شكرا لتواصلكم معنا ولمشاركتكم الفاعلة
Welcome to the media site of the International Cultural Forum. Thank you for contacting us and for your active participation