اخر الاخبار

آخر الأخبار

Marrë nga libri “ Mrekullia e një nate”.. Zoica Gjolla Popi






Tregim


Të gjitha të drejtat i perkasin autorit.

Pjesa e parë

Në rrjedhën e lumit

- Ti e ke fajin nënë!
Klea duke kërkuar nëpër xhepa nxori astarin e tyre nga jashtë si për të dëshmuar që s'e kish gjetur atë që i duhej.
- Përse jam fajtore? - e pyeta e hutuar.
- Kam harruar celularin. Ti e dije që ishte e para gjë që duhet të më kujtoje. Por jo e ke mendjen tek ushqimet. Asgjë s'kam për të vënë në gojë.
Mblodhi ato buzët e kuqe e me formë pak të harkuar në pjesën e sipërme, mblodhi duart në gjoks si për ta shfaqur mirë rebelizmin e saj. U pamë drejt në sy që të kuptoheshim pa fjalë. Shikimi i saj ishte hakërrues, depërtues nga dy sy të zinj me qerpikë po aq të zinj, të dendur, të gjatë, të përthyer në majat e tyre që nxirrnin në pah retinën me shkëlqimin e lotit.
- Pa më thuaj ku ta di vendin e takimit me shokët e shoqet? Parku është i madh e sikur të kërkojmë, s'do t’i gjejmë.
Kisha marrë me vete Mirkon, nipin tjetër që ishte nëntë vjeç e tre vite më i vogël se Klea. Ish nga ditët e rralla nordike ku qielli ishte pa re, i kaltër e i kthjellët duke i lënë rrezet e diellit të shpërthenin lirshëm. Në ditët e tjera retë dendësoheshin aq shumë poshtë tij, si një shtroje e padepërtueshme e kryeneçe.
Ngrohtësinë e rrezeve të diellit e ndjeja në shpatulla dhe më dukej sikur përkëdhelnin shpirtin tim që kish filluar të dridhej lehtë.
- Mos u mërzit zemër. Edhe po nuk i takuam do ta kalojmë shume bukur bashkë. Këtë park s'e kemi eksploruar e do kemi plot surpriza.
- Si the nënë? Përsërite edhe një herë?
Mirko ma rrëmbeu njërën çantë nga dora e me dorën tjetër shtrëngonte topin e tij ngjyrë qumështi, me disa ndarje me viza të zeza, ku shkruhej nga firma se ishte i kampionatit botëror të vitit 2016.
- Mos vazhdo ta fajësosh nënën për gabimin tënd!
- Po e ka zakon ajo të luajë rolin e gjynafisë. Mirë që s'po fillon me zë ato uf-bufet e veta.
- Mos i fol nënës time kështu! S'është vetëm e jotja, është edhe nëna ime.
- Për inatin tënd nëna jeton me mua e ndonjëherë fle në dhomën time. Plas tani nga inati! S'e kisha të lehtë.
- Nënë, ke do ti më shumë? Mua apo Mirkon? Mos thuaj që na do njësoj, se njerëzit s’janë njësoj e dashuritë janë të ndryshme.
Drejtova dorën e gjyshes, hapa gishtërinjtë që mezi më bindeshin e me zërin që hera herës mezi dilte, i thashë:
- Sa gishta ka kjo dorë?
-Pesë gishta ka - thanë të dy të çuditur njëzëri.
- Cilindo ta presësh prej tyre, dhembin njësoj, prandaj nëna ju do të dy njësoj.
Mirko u prek duke humbur në imagjinatën e tij, s'u ndje më.
Sapo kaluam urën e lartë në formë tuneli, para syve tanë u shfaq një fushë e gjerë ku akoma ndjehej aroma e barit të korrur ditë më parë në mënyrë të njëtrajtshme, duke pranuar lehtësisht mbirjen e barit të ri, duke i dhënë kësaj hapësire ngjyrën e blertë anembanë. Njëra nga rrugicat e ngushta të asfaltuara rrethonte parkun tej e tej, ndërsa dy të tjera dredhonin pjerrtas. Vetëm pas kalimit të urës gjendeshin pemë të larta me dy e tre  kurora të formuara nga degë, që zgjatnin krahët me kërcenjë si gishta të hollë të përdredhur, ku mezi shqiteshin nga njëri tjetri. Ajri i pastër me oksigjen t’i mbushte mushkëritë me një freski që të sillte një ndjesi të çuditshme. Zogjtë cicëronin me radhë, sikur i përgjigjeshin nga larg e lart njeri tjetrit me gjuhën e tyre.
Mahniteshe kur dëgjoje gurgullimën e ujit si një ujëvarë e vogël në hyrjet e urës, që formohej nga një digë e pjerrët. Stërkalat nga uji i shkumëzuar mbas rrëmbesës përfundonin në rrathë flluskash që pluskonin e shuheshin gjatë grykës gjer në një rrjedhje të qetë.
Klea ngriti pak kapelën e po mbante kasketën e saj në njërin cep. Ndërsa ajo kërkonte në hapësirë ndonjë grup shokësh e shoqesh, unë vështroja flokët e saj te dallgëzuara ngjyrë gështenje, që i binin mbi supat e rrumbullakosura. Një kaçurrel i përdredhur i binte mbi ballin e bukur, që nga bardhësia e lëkurës së lëmuar merrte nuancën gështenjë të errët dhe sikur lodronte, kur ajo kthente kokën sa andej këtej. Bukuria e saj në këtë qytet nordik po binte në sy. Kur ajo kalonte me atë të ecurën e saj elegante e të veçantë, kalimtarët kthenin kokën dhe i buzëqeshnin.
Sa po gjente një shteg të hapur pak, ajo ecte duke larguar me dorë shkurret. Dëgjova të mërmëriste nën zë se kjo ditë e bukur nuk i kishte sjellë fat, e të tjera dërdëllitje si këto.
-U lodha, ulemi këtu?
-Po nënë. Me këto degët e thata mund të ndërtojmë shtëpinë tonë- u hodh Mirko dhe me shkathtësinë e tij filloi punën
Klea që po i humbiste shpresat,u kthye rrëmbimthi nga ai.
- Dukesh që ke mendje kalamani. Shtëpinë e kemi ndërtuar në parqe të tjera, vetëm kur na zinte shiu të mos lageshim. Ha..ha... tani këto rrezet po të lagin? Mirë që s'kisha nxjerrë akoma ujin,s e mund të fillonim lojën me ujë për të lagur njëri tjetrin.
Mirko i zënë ngushtë i tha:
-Unë po e ndërtoj për nënën, pasi ne mund të luajmë te këndi i lodrave përballë.
Sa po shtrova shtrojën dhe një pecetë mbi të,vendosa ushqimet që mund të hanim në atë çast. Lëngun e frutave e kartpecetat i lashë anash. Gjysmë e shtrirë vura kufjet në vesh për t’u treguar indiferente, në mënyrë që ta zgjidhnin vetë lojën e tyre me njëri tjetrin.
-Nënë, ti i merr vendimet pa më pyetur mua? E kupton si ndjehem?
-Të lutem Klea luani të dy.
-Jo dua të iki që këtej, tani.
-Jo, do të rrimë.
U pamë ngultas në sy. Kundërshtimi i saj ishte i vendosur, por unë duhej ta thyeja. Fjalët nuk hynin më në punë. Papritur ajo mori rrugën duke shpejtuar hapat. Nuk më la kohë as të mblidhja gjërat. Mirko kish gjuajtur topin larg e vraponte nga ana tjetër. Klea pa kthyer kokën vazhdonte të ecte.
-Klea... Klea... kthehu. Nuk mund të largohesh vetëm. Të lutem Klea...!
Duke bërtitur fort, zëri po më ngjirej. Ndjeva lëmshin të më mblidhej në fyt. Lotët filluan të më rridhnin qysh në përcjelljen e parë. Po dridhesha që po më humbiste nga sytë. Mirko me topin në dorë u afrua me vrap. Ishim shumë të lidhura të dyja. Ajo e dinte që unë në atë çast vuaja duke ndjerë dhimbje përzier me fyerje. Mbulova fytyrën me duar për t’i fshehur lotët nga djali, por dënesën nuk po e ndalja dot. Ngashërimet tashmë kishin shpërthyer. Mirko me sytë e zmadhuar më vështronte me një dhimbje të tejskajshme. Më përqafoi duke m’i fshirë lotët.
- Nëna ime e mirë, mos qaj, mos qaj se do sëmuresh
 

ليست هناك تعليقات

مرحبا بكم في الموقع الإعلامي للمنتدى الثقافي الدولي شكرا لتواصلكم معنا ولمشاركتكم الفاعلة
Welcome to the media site of the International Cultural Forum. Thank you for contacting us and for your active participation